Shpërthimi i bombolave të gazit në qytetin e Korçës mund të ishte evituar nëse do të ishin respektuar kushtet e sigurisë teknike dhe bashkia e këtij qyteti do të kishte marrë parasysh dokumentet e plotësuara nga inspektorët për paligjshmërinë e këtij aktiviteti.

Drejtori i Inspektoratit Qendror Teknik në Tiranë shprehet, se aktiviteti i mbushjes dhe shitjes së bombolave ishte i paligjshëm.

Ilir Kurti: “Bëhet fjalë për një subjekt që është i paligjshëm edhe me akt ndalimi nga inspektorati, edhe për mbushje të paligjshme bombolash jashtë qytetit të Korçës. Përsa i përket aksidentit nga informacionet që kemi 50% duhet të jetë e qëllimshme dhe 50 % është pikërisht elementi i pakujdesisë.”

Ngjarja e Korçës rikthen edhe njëherë në vëmendje rrezikun e shpërthimit të bombolave të gazit. Sipas Kurtit në kryeqytet dyqanet që tregtojnë në mënyrë të paligjshme janë të shumë, por është detyrë e bashkisë ti parandalojë ato.

Ilir Kurti: “Një sasi e madhe bombolash nuk mund të depozitohen në vende ku nuk ka për shembull sisteme elektrike të mbyllura, ndriçimi, ambient të ajrosur. Janë disa letra nga inspektorati për të mbyllur këto aktivitete, do me thënë tregtimin e bombolave të gazit nëpër dyqane të paautorizuara. Listat janë do me thënë pranë çdo bashkie.”

Bombolat e gazit mund t’i gjesh kudo nëpër dyqane dhe mbi të gjitha vetë tregtarët nuk kanë asnjë informacion mbi mënyrën se si duhet të trajtohen dhe ruhen ato./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami