Shqipëri-Itali i kanë vënë vulën plot katër marrëveshjeve të rëndësishme falë vizitës në Tiranë të kryeministrit, Silvio Berluskoni.

Projektet përfshijnë fusha të tilla si energjia apo dhe infrastruktura rrugore me kompani të njohura italiane si Falcione, Moncada Costruzioni, Colacem Todini Costruzioni Generali.

Kështu parashikohet realizimi i projektit të rigazifikimit në zonën e Fierit, si dhe ndërtimi i një naftësjellësi të nëndheshëm, projekte këto me vlerë  1 miliard euro.

Falcione grup angazhohet në ndërtimin e një impianti të fuqishëm të pasurimit te gazit.

Gjithashtu është parashikuar marrja e gazit me anije nga Afrika veriore dhe Katari me destinacion tregun shqiptar dhe atë Italian.

Marrëveshja e nënshkruar nga Moncada Costruzioni parashikon realizimin e një parku eolik në jug të Vlorës, ndryshe një park që do te sigurojë energjinë nga era. Parku eolik do të ketë një fuqi prej  500 mega wat.

Do të ndërtohen gjithashtu dhe 250 turbina dhe është parashikuar që parku të jetë më i madhi në Evropë. Pjesë e marrëveshjes prej 1 miliard  e 15 milion euro është dhe ndërtimi një kabulli nënujor interkonjeksioni elektrik me Italinë.

 Ndër projektet e firmosura sot është dhe ai i realizimit të një fabrike çimentoje me cikël komplet në veri të Shqipërisë me vlerë 160 milion euro, për të cilën do të angazhohet   kompania  Colacem si dhe ndërtimi nga Todini Konstruktisoni Generali i rrugës Levan- Dames me vlerë 33 milion euro./tvklan.al