Kombëtarja shqiptare e femrave ka arritur një rezultat historik, duke u kualifikuar në fazën “play-off” të kampionatit europian “Zvicër 2025”.

Kuqezezat mposhtën në “Elbasan Arena” Luksemburgun me rezultatin 3-1 në sfidën e fundit dhe e mbyllin në vend të parë në grupin C5.

Skuadra e drejtuar nga Grima zhbllokoi rezultatin në minutën e 29. Megi Doçi u tregua e saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Në shtesën e pjesës së parë, Qëndresa Krasniqi realizoi një gol të bukur. Luksemburgu e mori goditjen e tretë në nisje të pjesës së dytë nga Fortesa Berisha.

Kombëtarja mike realizoi golin e vetëm në shtesë me Kremer. Në total, kombëtarja e vajzave grumbulloi 9 pikë pas 4 takimeve, Luksemburgu 3, ndërsa Estonia 0.

Shqipëria siguron edhe ngjitjen në Ligën B të Nations League.

Kuqezezat do të luajnë edhe në raundin e parë të “play-off” për një vend në europian, ku do të përballen me një nga katër përfaqësueset e vendit të tretë ose të katërt të çdo grupi në Ligën A.

Klan News