Shqipëria u eliminua nga Europiani pas humbjes 1-0 me Spanjën dhe një loje emocionuese që u përcoll direkt nga Tv Klan. Kuqezinjtë nuk u dorëzuan deri në fund, duke zhvilluar ndeshjen më të mirë të këtij turneu, por pa arritur të marrë pikë.

Në Dyseldorf ku nuk mungoi mbështetja e tifozerisë shqiptare, skuadra e Sylvinho ishte kërkuese edhe ndaj ekipit më të mirë të këtij Europiani, Spanjës, e fortë edhe me rezervat. Shqipëria e nisi vrullshëm sfidën, duke ushtruar presion pranë zonës kundërshtare. Por ishte Spanja që realizoi në minutën e 13’ me Ferran Torres, i cili shfrytëzoi pasimin e saktë të Dani Olmo.

Spanjollët vijuan të rrezikonin portën shqiptare, por duke hasur pengesën e mbrojtjes dhe Strakoshës. Rasti i parë i rrezikshëm i Kuqezinjve u regjistrua në fundin e pjesës së parë ku goditja e Asllanit u ndal nga Raya. Pas pushimit ishin spanjollët të cilët e nisën rrezikshëm, por Strakosha nuk u kap i papërgatitur.

Përfshirja në lojë e Brojës në vend të Manajt rriti sulmet e Shqipërisë, duke iu afruar disa herë golit të barazimit. Loja e Kombëtares u bë akoma më imponuese kur në fushë hyri Arbër Hoxha, i cili vuri në vështirësi spanjollët.

Spanja nuk priti, por aktivizoi Morata e Yamal që sollën probleme në zonën shqiptare. Kuqezinjtë kundërshtuan edhe disa vendime të arbitri Nyberg, por pa arritur t’i kthejnë ato. Spanja kështu e mbyll në krye të Grupit B me pikë të plota, ndërsa Shqipëria e fundit me 1 pikë.

Tv Klan