Përshkrimet për Shqipërinë si një destinacion turistik me plazhe të mahnitshme nuk kanë të ndalur. Vendi ynë së fundmi po vlerësohet edhe për malet dhe qytetet historike të mbrojtura nga UNESCO. Revista kanadeze Toronto.com shkruan se pamja e parë që të tërheq vëmendjen në Shqipëri për shumicën e turistëve, është vija bregdetare vezulluese që shtrihet përtej qyteteve turistike që përhapen pranë detit të kaltër.

Megjithatë, revista kanadeze ka një këshillë për lexuesit e saj, Shqipëria mund të vizitohet edhe për malet piktoreske si Bjeshkët e Nëmuna, deri te vendet e trashëgimisë kulturore. Gazetarja e kësaj media, Jennifer Malloy, e cila ka bërë një reportazh për Shqipërinë, i nis pushimet e saj me veriun e largët malor. Bjeshkët janë një nga vendet që vizitoi ndërsa vlerësoi  investimet në infrastrukturë.

“Shqipëria duket e vendosur për të lënë pas të kaluarën e saj komuniste dhe promovuar veten si një destinacion ideal turistik që nuk ofron vetëm vijën bregdetare”, thuhet në artikull.

Fshati turistik i Thethit, ku bujtinat të drejtuara nga familjet ofrojnë strehë dhe ushqim për alpinistët, është një tjetër destinacion i rëndësishëm turistik. Gjatë udhëtimit të saj gazetarja eksploron edhe  vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si Beratin dhe Gjirokastrën të cilat i cilëson si qytete që të përcjellin ndjesinë e një oazi otoman. Në fund, ajo viziton Parkun Kombëtar të Butrintit, një vend arkeologjik i disa qytetërimeve të lashta, i ruajtur në mënyrë perfekte.

Tv Klan