Raporti më i fundit i Bankës Botërore e ka renditur Shqipërinë në vendet me tarifat më të larta të telefonisë celulare në rajon dhe me gjerë. Por kjo nuk i ka penguar shumë qytetarë të zonave kufitare të përdorin rrjetet e shteteve fqinje për shkak të tarifave të ulëta që kompanitë celulare në këto vende ofrojnë në krahasim me operatorët shqiptar.

Qytetarë të zonave veriore në Qarkun e Shkodrës përdorin për komunikim rrjetin malazez të telefonisë së lëvizshme. Me një kartë rimbushëse prej 5 euro e cila në tregun shqiptar kushton 600 lekë të reja në rrjetin Promonte mund të komunikosh mbi 40 minuta kohë. Ndërkohë që mesazhet kushtojnë vetëm 4 cent ose 6 lekë.

Qytetari 1: “Janë dy arsyet kryesore që përdoret rrejti i Pormontes, e para sepse njeh pjesë e madhe e Shkodrës, pra është në kufi pjesa veriore, verilindore e qytetit arrin ma thith valën e Pormontes dhe shumë vetë e përdorin, dhe e dyta ka një tarifë të ulët. Pra është rreth 10 herë më pak për të pagur për Promonten.”

Qytetari 2: “Tarifa që ofron kjo kartë janë disa herë më të lira se sa shërbimet që ofron AMC dhe Vodafoni, por kushtëzohemi për shkak se shtrirja e rrjetit të valëve të kësaj karte është vetëm për brenda Shkodrës.”

I njëjti fenomen ndodh prej vitesh edhe në jug të vendit. Ne ishim me kamerën tonë në disa fshatra të Gjirokastrës pak kilometra larg kufirit me Greqinë. Banorët e kësaj zone përdorin operatorët grek të telefonisë celulare. Jo vetëm për shkak të komunikimit me të afërmit e tyre në Greqi, por kryesisht për tarifa mjaft të ulëta që ofrojnë këto kompani në krahasim me operatorët shqiptarë.

Gazetare: Çfarë karte ke në telefonin tënd shqiptare apo greke?

Qytetarja: “Greke”

Gazetarja: Pse?

Qytetarja: “Sepse është më e lirë.”

 Qytetari 3 : “Njëqind herë më mirë me këtë grekun, sepse greku edhe të fal kurse ky të vjedh. Në Shqipëri  faktikisht telefonat të lënë pa bukë.

Qytetari 4: “Karta greke kanë më leverdi, kanë tarifa më të ulëta kanë më shumë mesazhe falas, ka shumë gjëra.”

Në shtetet e rajoni operojnë simotrat e të të njëjtave kompani celulare që shtrihen prej kohësh edhe në Shqipëri, por megjithatë diferencat si në shërbime ashtu edhe në tarifa mbeten të dukshme në krahasim me fqinjët tanë./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako, Simon Shkreli