Luhatjet e tensionit dhe një shkëndijë elektrike janë bërë shkak për zjarrin e rënë në një dyqan mallrash në fshatin Gur i Zi të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe është konstatuar pas tymit dhe flakëve që përfshinë të gjithë godinën.

Zjarri ka shkrumbuar tërësisht veshmbathje, pajisje shtëpiake, produkte ushqimore që tregtoheshin nga subjekti privat. Gjatë zjarrit janë dëgjuar dhe shpërthime të provokuara nga bombolat e gazit dhe produktet kozmetike.

Fiqeret Sulejmani: “Kishte marrë flakë njëri frigorifer, mora çelësat dhe dola këtej nga krahu tjetër dhe hape grilat, mirëpo aty ajo mori më shumë.”

Zjarri ka rrezikuar edhe banesat mbi marketin, ndërkohe që për shuarjen e tij janë thirrur në ndihëm forcat e zjarrfikëses. Dëmi i shkaktuar llogaritet në miliona lekë./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli