Shqipëria po tërheq çdo ditë jo vetëm vëmendjen e turistëve por edhe të tur-operatorëve të huaj. Një grup prej 12  operatorësh nga Holanda dhe Belgjika kanë mbërritur në vendin tonë për të parë nga afër destinacione të ndryshme.  Kanë udhëtuar në Gjirokastër, Berat dhe zonat bregdetare ndërsa thonë se Shqipërinë do tua sugjerojnë klientëve të tyre.

“Jam tur operator në Holandë. Vij për herë të parë në Shqipëri, dua të zbuloj vendin tuaj dhe tua sugjeroj klientëve të mi në Holandë. Kemi parë Gjirokastrën, Beratin dhe zonën bregdetare. Keni një vend të mrekullueshëm,” tha një tur-operator i huaj.

“Është hera e parë që vij këtu në Shqipëri. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të dashur. Është një atmosferë fantastike, ju në Shqipëri keni gjithçka, keni detin, malin, natyrën, historinë si dhe kala madhështore dhe njerëzit kanë çfarë të shikojnë,” tha një tur-operatore tjetër.

 “Jam e mrekulluar nga vendi juaj. Më pëlqen shumë natyra dhe destinacionet turistike që ju keni. Kam çfarë t’u sugjeroj kolegëve të mi në Holandë për të ardhur në Shqipëri,” shtoi një tjetër.

Kjo ishte një iniciativë e Poli Lomës nga Korça. Ajo jeton prej 28 vitesh në Holandë dhe punon si agjente turizmi. Ka zgjedhur që vendin e lindjes tua prezantojë kolegëve të saj.

Poli Loma, operatore turistike në Holandë: Personat që shoqëroj unë sot janë agjentët turistikë, të cilët janë të gjithë të pavarur, por nën një ombrellë të një organizate të madhe. Këta kanë klientët e tyre dhe punojnë kryesisht në mënyrë personale. Për shembull mund të kenë ture biznesi, por mund të kenë edhe njerëz privatë familjarë që vijnë me pushime, në këtë mënyrë ata përpiqen të kanalizojnë turizmin drejt Shqipërisë. Jemi gjithsej 12 veta që kemi ardhur në këtë udhëtim.    

Edhe këtë vit Shqipëria janë zgjedhur nga mijëra turistë të huaj. Sipas operatorëve turistikë pronontimet janë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa veç atyre që vijnë për herë të parë, shumë prej turistëve kthehen sërish Shqipërinë.

Klan News