Shqiptarët e Maqedonisë janë dëshmuar në ushtrimin me sukses të funksioneve të ndryshme, andaj nuk ekziston kurrfarë pengese që në të ardhmen ta ushtrojnë edhe funksionin e presidentit të shtetit, vlerëson kandidati presidencial i Demokracisë së Re, Imer Selmani.

Bindja se ka ardhur momenti që Maqedonisë t’i ndodhë fenomeni Obama dhe se shoqëria në Maqedoni është pjekur për të votuar një president shqiptar janë motivet kryesore për Selmanin që të marrë pjesë në garën për president shteti.

Imer Selmani: “Duke u nisur nga fakti se ne jemi duke dëshmuar si shqiptarë që shpeshherë se investojmë më tepër bile se maqedonasit në kuadër të ndërtimit të këtij shteti. Besoj, jam shumë i sigurt se si kandidat, Imer Selmani, shumë më i qëlluar si kandidat, por edhe ata që janë maqedon”.

Në synimin për t’u zgjedhur president shteti nuk është i demotivuar as nga fakti se vetëm para një muaji parlamenti shkurtoi edhe një herë kompetencat edhe ashtu të vogla të presidentit të Maqedonisë.

Suksesin e ushtrimit të një funksioni nuk varet nga kompetencat, por nga aftësia e personit që ushtron, vlerëson Selmani.

Imer Selmani: “Me përgjegjësi shumë të madhe them se shumë me rëndësi është personi i cili ushtron kompetencat ajo kompetencat e përshkruara me ligj dhe me kushtetutë. Ne kemi parë 18 vite me radhë në të njëjtat detyra ministra të suksesshëm dhe ministra shumë pak të suksesshëm ose të dështuar, kryeministër të suksesshëm ose kryeministra të pasuksesshëm”.

Edhe pse me profesion është mjek Imer Selmani deri tani është dëshmuar në udhëheqjen e biznesit familjar, por edhe në ushtrimin e postit të kryetarit të komunës së Sarajit, postit të zv/kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë.

Para katër muajve lëshoi radhët e Partisë Demokratike Shqiptare dhe formoi subjektin e ri politik Demokracia e Re.

Rezultatet e shumë anketave që realizojnë muajt e fundit e nxjerrin atë si kandidat serioz për të garuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu