6 muaj nga shpallja e pavarësisë shtetet islamike vazhdojnë të mos e njohin realitetin e krijuar në Kosovë, duke provokuar kështu një debat të madh në Prishtinë. Aktualisht shtrohet pyetja nëse fajtori i këtij refuzimi ndodhet në Kosovë apo në lindje?

Në një debat të organizuar sot nga forumi 2015 me temën “Kosova dhe bota arabe” u tentua t’i jepej përgjigje kësaj dileme. Panelistët shqiptar fajin ia hodhën institucioneve të Prishtinës, derisa shumë intelektualë arabë dhanë edhe shkaqe të tjera rreth këtij refuzimi të shteteve islamike.

Ridwan Al-Sayed: “Ne nuk jemi të kënaqur me statusin e tanishëm të marrëdhënieve tona. ne nuk shohim arsye pse vendet arabe hezitojnë dhe nuk kanë njohuri për Republikën e re të Kosovës.”

Hany Salah: “Mos njohja e pavarësisë së Kosovës është si pasojë e zhvillimeve të brendshme të këtyre shteteve, por as kjo nuk e agjiton refuzimin arab. Mendoj se faj për këtë gjendje kanë edhe kosovarët edhe arabët.”

Mefleh Al-Adwan: “Ekzistojnë disa paqartësi politike, por edhe strategjike në vendin tonë karshi njohjes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë mendoj se me lidhjet që po krijohen njohja nga Jordania nuk do të vonojë.”

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri i punëve të jashtme Skënder Hyseni thanë, se janë të befasuar nga njohjet e pakta që kanë ardhur deri më tani nga bota arabe.

Fatmir Sejdiu: “Kosova ka pritur dhe pret me besim dhe bindje të plotë se vendet e këtij rajoni do të kenë pasur mundësinë dhe do të kenë ndoshta themi dhe … e veçantë. Që të bashkëngjiten me kuadrin apo pozicionin e përbashkët të vendeve të tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.”

Skënder Hyseni: “Qeveria e Kosovës punon me tërë kapacitetet e saj për të siguruar sa më shumë përkrahje ndërkombëtare për Kosovën. Duke përfshirë në mënyrë të veçantë vendet e botës arabe. Kosova me të drejtë kërkon dhe pret përkrahje e njohje nga këto vende, në këto momente të papërsëritshme për Kosovën.”

Publicisti Veton Surroi kritikoi institucionet e vendit për mungesë vizioni në politikën e jashtme.

Veton Surroi: “Kosova është ajo e cila e ka nevojën e përkrahjes së shteteve arabe dhe këtë përkrahje nuk mund ta kërkojë në Pragë e as në Londër e as në Paris, por duhet të kërkojë në Berjut, në Kario, në Çad, në Riad në vende të tjera.”

Kosova deri më tani është njohur nga 46 vende, vetëm 5 nga ato janë anëtarë të organizatës së konferencës islamike./tvklan.al

Gazetare: Leonard Kërquki