Zhvillimi i turizmit në pjesën e paprekur ende nga ndërtimet kaotike në plazhin e Golemit, ka mbetur peng i infrastrukturës rrugore.

Gazetari: “Ndodhemi këtu në segmentin Mali i Robit-Qerret, kjo është vetëm një prej rrugëve problematike në zonën turistike të Golemit, projekti për të cilin ka dy vjet që fle në zyrat e komunës.”

Pluhuri dhe gropat të shoqërojnë rreth 2km të kësaj rruge që është bërë një gangrenë jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për pushuesit të cilët sapo kanë filluar të frekuentojnë këtë plazh.

“Me thënë të drejtën unë makinën time ta kem unë nuk hyj këtej, gjithë këto vila kaq të bukura, mos të rregullojnë një rrugë.”

“Duket vetë kjo nuk ka nevojë të shpjegoj unë.”

“Është gjithë pluhur, gjithë pisllëqe, prej shtetit presim.”

Pranë zyrës së Urbanistikës në komunën e Golemit mësojmë se ky segment rrugorë është pjesë e masterplanit të rregullimit të zonës turistike, por ky masterplan ende nuk ka marrë firmën e fundit nga komuna, e cila do t’i hapte më pas rrugën e kalimit për miratim në KRRTRSH dhe më pas ndërtimit të saj që sipas specialistëve nuk do të donte më shumë se 3 muaj.

“Projekti parashikon ndërtimin e rrugës nga Mac Albnania deri tek derdhja e përroit të Qerretit. Rruga është 1700 m e gjatë me gjerësi 7 dhe ka në të dyja anët trotuare me nga 1.5 m. Masterplani është hartuar por nuk ka marrë vulën dhe firmën përfundimtare. Masterplani ka ardhur pranë nesh, po i bëjmë vërejtjet për t’u rishikuar dhe mbas kësaj do të fillojë procedura për aprovimin.”

Rruga ka një preventiv prej 44 milion lekësh dhe për këtë pritet një fond nga ministria e Financave, por më parë duhet të thotë fjalën e vet edhe ministria e punëve publike.

Gazetari: “Për të gjetur se ku ka ngecur filli i punimeve i këtij segmenti që kalon në zonën turistike të Golemit, jemi drejtuar disa herë dhe ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, por këtu bëjnë të paditurin, duke thënë se nuk kanë informacion mbi projektin e kësaj rruge.”

“Projekti ka shkuar pranë ministrisë së punëve publike që në kohën e hartimit të projekt-planit të vitit 2008. Që në muajin shtator tetor të 2007 që është punuar për vitin 2008, po njëkohësisht ka shkuar prapë tani me kërkesë të tyre, ka shkuar prapë tani projekti dhe preventivi.”

Burokracia vazhdon të mbajë peng ndërtimin e këtij segmenti rrugor turistik në një kohë kur qeveria ka premtuar si prioritet të saj ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturën në zonën turistike./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro