Është shtyrë në një afat të pacaktuar gjyqi kundër ish Presidentit të Kompanisë “Vefa Holding”, Vehbi Alimuçaj. Kjo seancë është zhvilluar pa praninë e gazetarëve. Pas seances avokatja e Alimuçës, Liljana Kobara rreth shtyrjes së seancës u prononcua për TV Klan.

Liljana Kobara: Pretendohet nga Prokurori që Kryesuesi i trupit gjykues Fehmi Petku është i implikuar në proces. Në realitet sipas Kodit të Procedures Penale neni 17 janë në mënyrë taksative detyrimet që kush duhet të rri dhe kush duhet të iki nga gjyqtarët.

Gazetari: Për organizim bandash të armatosura dhe për armë pa leje, çfarë mund të thoni për këtë?

Liljana Kobara: Të gjitha akuzat që i bëhen Vehbi Alimuçës janë absurde. Shteti këtë e bën me qëllim të caktuar për ta mbajtur sa më gjatë brenda. Ne do ta argumentojmë në mënyrë shkencore me ligjet e shtetit dhe me dokumentacion shkresor që të gjitha gjërat janë një bllof. Vehbi Alimuça nuk ka kryer asnjë krim bande të armatosur. As 143 që është vjedhje me anë mashtrimi nuk qëndron.

Gazetari: Kur është lënë seanca tjetër?

Liljana Kobara: Seanca tjetër nuk është lënë akoma. Prokuroria kërkon të marrë kohë, t’a lëje sa më shumë sa më gjatë Vehbi Alimuçën në burg.

Gjatë kësaj seance kanë marrë pjesë dhe debitorë të cilët kërkonin përfundimin e procesit gjyqësor kundër Alimuçës pasi ky proces u zgjat në mënyrë të pafundme dhe problemi i parave gjithmonë ngelej. Iu kërkua prononcim dhe Prokurorit të çeshtjës i cili nuk pranoi të jepte asnjë sqarim./tvklan.al