Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, në një javë kanë bllokuar 32 mjete lundruese nga Ksamili në Koman.

Në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.

Sipas policisë, mjetet e bllokuara janë 20 jet ski, 7 skafë, 3 gomone dhe 2 varka metalike që kishin të instaluar motor uji.

12 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 lekë.

Drejtuesit e 8 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 100 00 lekë të rinj secili për mospajisje me licencën e operatorit turistik, ndërsa drejtuesit e 10 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10,000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 16 raste që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Koman.

Klan News