Miratimi i sistemit të ri zgjedhor proporcional-rajonal pason vendimmarrjen për ndarjen e mandateve për secilën zonë zgjedhore. Ndryshe nga sistemi i vjetër një përzierje mes mazhoritarit dhe atij proporcional që e ndante vendin në 100 zona zgjedhore, sistemi i ri parashikon ndarjen në 12 rajone ose qarqe.

Kodi i ri zgjedhor parashikon një formulë të posaçme për ndarjen e mandateve për çdo qark. Kështu numri i përgjithshëm i shtetasve shqiptarë që sipas numrit të popullsisë që ofron drejtoria e përgjithshme e Gjendjes Civile llogaritet të jetë rreth 4 milion e 249 mijë shtetas, pjesëtohet me numrin 140 deputetëve që do të ketë gjithsej Kuvendi i Shqipërisë.

Kjo llogarit numrin e shtetasve që i korrespondojnë çdo ligjvënësi, pra rreth 30 mijë shtetas. Për të mbërritur në përllogaritjen e deputetëve për çdo qark, pjesëtohet numri i shtetasve të secilit prej tyre me 30 mijë. Formula përcakton 134 mandate të plota, ndërsa 6 mandate të tjera shkojnë për ato qarqet të cilat nga përllogaritja kanë shifrën  më të madhe pas presjes dhjetore.

Kështu përfitojnë nga një mandat shtesë qarqet e Beratit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Kukësit dhe Lezhës. Tabela tregon numrin e mandateve për çdo qark, Tirana ka numrin më të madh të deputetëve, 32 të tillë, më pas vjen Fieri me 16, Korça dhe Vlora me nga 12 e kështu me radhë.

Vlen të theksohet se përllogaritja e mandateve në ndryshim nga kodi i vjetër që e parashikonte ndarjen bazuar në shifrën e zgjedhësve, në ligjin e ri bazohet në numrin e përgjithshëm të shtetasve. Ky proces ka shënuar tashmë një fazë të re.

Kur është identifikuar dhe shifra në total e popullsisë pas pastrimit të regjistrave  të gjendjes civile nga dublimet, bëhet fjalë për rreth 46 mijë dublime emrash në të gjithë vendin./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi