Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rëndohet situata gripale në prefekturën e Elbasanit. Dy të rinj 20 dhe 29 vjeçar kanë humbur jetën si pasojë e virusit gripal, ndërkohë që ditët e fundit, numri i fëmijëve të prekur nga virusi i gripit, që vizitohen në spitalin Pediatrik ka kaluar të 100 në ditë.

Mjekët konfirmojnë se numri i të prekurve është alarmant, por ata nuk e konsiderojnë ende këtë si një situatë epidemike. Sipas tyre, virusi i shfaqur në Elbasan është një virozë me shenja klasike të gripit.

Mjekja:- “Kryesisht tani kanë filluar tek moshat 2-6 vjeç të shihen shenjat e gripit. Këto viroza paraqiten me temperaturë të lartë, me të vjella, me dhimbje koke dhe dhimbje barku”.

Ndërkohë, situata e rënduar paraqitet edhe në spitalin infektiv të qytetit, ku sipas personelit atje është dhjetëfishuar numri i rasteve i të prekurve nga virusi gripal tek të rriturit. Por pëveç qytetarëve të paraqitur për trajtim në spital, gjendja është edhe më alarmante në qytetet dhe fshatrat e tjerë të prefekturës së Elbasanit, ku numri i të prekurve nga virusi është gjithnjë në rritje./tvklan.al