Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Skulptorit të Popullit Kristaq Rama iu akordua në 71 vjetorin e lindjes së tij, titulli “Qytetar Nderi i Qytetit të Durrësit”, qytetit të tij të lindjes. Këshilli bashkiak i këtij qyteti, vendosi t’i japë titullin më të lartë të pushtetit vendor, artistit të shquar pas vdekjes, me motivacionin “Skulptor i shquar me krijimtari të pasur dhe fizionomi të qartë kombëtare”.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Miri Hoti, ia dorëzoi titullin “Qytetar Nderi” bashkëshortes së Kristaq Ramës. I pranishëm në ceremoni ishte dhe i biri i skulptorit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Kristaq Rama ka lindur në Durrës, në 18 Janar të vitit 1932 dhe kaloi në qytetin bregdetar pjesën e parë të jetës së tij. Në skulpturën e tij, ai krijoi një formë adekuate mjaft origjinale, që shprehet veçanërisht në plastikën e tij. Disa nga veprat më të spikatura të këtij skulptori janë, “Sulejman Vokshi”, “Moisiu”, “Malësori”, “Shote Galica etj”.

Skulptori Rama ka provuar të gjitha llojet e materialeve, duke filluar që nga më të thjeshtat dhe duke kaluar deri tek punimet në mermer, bronz apo gurë. Por Skulptori i Popullit do të mbetet i paharruar edhe për veprat e tij madhore të punuara në grup nën drejtimin e tij, si monumenti “Nënë Shqipëri”, apo relievi në godinën e Kryeministrisë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora