Lajme Arkiva 2003

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkitë e kryeqytetit Spartak Ngjela prezantoi kandidatin Fatmir Neza për njësinë periferike të kombinatit. Lagjja e Kombinatit është zona më e varfër cilësoi Ngjela.

Vizita e dytë gjatë fushatës elektorale nuk tregon sipas tij se problemet e qytetarëve do të zgjidhen me shkopin magjik në takimin e tretë përpara datës 12 tetor, por besimi në platformën e selisë blu nuk duhet humbur.

Spartak Ngjela: Varfërinë tuaj e pashë në dyqane. Në dyqane blini me listë. Pyetja ime është kjo, si ka mundësi të shkosh në Evropë pa punë, në këtë varfëri, pa shpi, pa asgjë, si do të shkosh në Evropë? Përse? Për të lypur?

Nuk është menduar asnjëherë për komunitetin por vetëm për fasadën u shpreh kandidati demokrat Ngjela në Kombinat duke nënkuptuar votat e zgjedhjeve 2001. Ndërsa gjatë paradites Spartak Ngjela është takuar me shoqatën e ndërtuesve. Avokati ka premtuar më tepër lehtësi për lejet e ndërtimit.

Por ka shtuar se duhet të mbyllet mënyra e ndërtimit me paratë e klientëve të cilët paguajnë pa u ngritur ndërtesa.

Spartak Ngjela: Unë e kuptoj që ju doni të qarkulloni kapitalet tuaja, kurse unë me stafin tim duam të krijojmë qytetin në mënyrë funksionale dhen qoftë se këto janë në kontradiksion me njëra tjetrën e pëson edhe qyteti edhe kapitali. Ne do ti harmonizojmë këto gjëra, do ti harmonizojmë gjithmonë në funksion të tregut./tvklan.al