Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas sugjerimeve të raportit të OSBE-së, mazhoranca socialiste duhet të reagojë menjëherë, e veçanërisht duhet të pranojë balancimin e KQZ. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD Spartak Ngjela, paralajmëron se nëse nuk zbatohen rekomandimet e herëpashershme të ndërkombëtarëve dhe nëse nuk zhbllokohet reforma zgjedhore, vihet në pikëpyetje stabiliteti i vendit.

Spartak Ngjela: “Partia Demokratike e ka thënë dhe e ka stërthënë disa herë këtë çështje, bile përkundrazi ne këtu kemi përqendruar të gjithë vëmendjen tonë, duke e konsideruar këtë çështje, si thembrën e Akilit të zgjedhjeve të ardhshme dhe nuk do bëjmë asnjë lëshim. Fakti që institucionet ndërkombëtare janë me ne, kuptohet që është një shenjë plus për personalitetin e opozitës. Duhet të kuptojmë një gjë, që ne nuk mund ta lëshojmë këtë çështje. Përsa i përket anës tjetër, pala tjetër e di vetë se çfarë do bëjë është mirë të lëshojë, sepse pushtet nuk mbahen me dhunë dhe nuk merren me forcë. Unë e kuptojë hallin që kanë rënia e madhe e aksioneve, por të gjitha këto gjeste i degradojnë edhe më keq aksionet e tyre.”

Në këtë raport opozita gjeti mbështetjen e ndërkombëtarëve, pasi prej kohësh debati ndërmjet demokratëve dhe socialistëve për balancim të KQZ, nuk përfundoi me rrugëzgjidhje./tvklan.al