Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kështu kanë nisur demonstrimet e efektivëve të repartit 712 të ndërhyrjes së shpejtë. Një person i kërkuar është fshehur në këtë objekt, ndërkohë që Forcat Speciale e rrethojnë nga të gjitha anët dhe afrohen në shpejtësi. Pas arrestimit të personit të kërkuar, bëhet shoqërimi i tij për në komisariatin e policisë, por banorë të fshatit bllokojnë rrugën e autokolonës së policisë, në përpjekje për të liruar personin e arrestuar. Pas hapjes së rrugës eskorta vazhdon rrugën për në komisariat.

Gjithashtu nga Forcat Speciale u kryen edhe demonstrime të tjera për bllokimin e rrugës dhe arrestimin e personave të kërkuar. Ndërsa në ambientet e këtij reparti, policët demonstruan përgatitjen e tyre të lartë për shpërndarjen e turmave të demonstruesve që synojnë prishjen e rendit dhe të qetësisë.

Kjo stërvitje në kushte reale u krye pas një kursi trajnimi që kryen efektivët e repartit 712, nën kujdesin e policisë së MAPE-s. Në fund të aktivitetit, policëve iu shpërndanë nga oficerët francezë, diploma, si dhe një shpërblim prej 17 mijë lekësh./tvklan.al