Shihni sesi valltarët kinezë “shkrihen” me vallet shqiptare

Një trupë kineze valltaresh kanë realizuar një video të vitit 1975, duke kërcyer “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Video, që sot tingëllon, sa absurde, aq edhe qesharake, i përket kohës së vëllazërisë së madhe shqiptaro-kineze.

Çudia, blen makinë, në vend të letrave, shitësi i jep dokumentin e policisë

Një qytetar nga Elbasani tregon për “Stop” në Tv Klan se ka blerë një makinë në nëntor 2023, por nuk ka bërë akt shitjen e automjetit, pasi personi të cilit ia bleu i dha dokumentat e punës që të lëvizte lirisht  derisa të përfundonte dokumentat. Qytetari bëri pagesën, por prej muajsh nuk ka firmosur akt-shitjen dhe nuk mund të lëvizë me makinën e blerë.

Shitësi që thotë se është Dritan Hysa i thotë se i ka dhënë në mirëbesim dokumentin e Forcave Detare nga Ministria e Mbrojtjes ku thotë se është pjesë.

”Stop” pyeti në Drejtorinë e Përgjithshme të Forcave Detare, bazën e portit, komandën e forcave detare, bazën ushtarake te Kepi i Palit, por askush nuk e njihte Dritan Hysën apo të kishte informacion se ku punonte.

Drejtoria e Përgjithshme e Forcave Detare

Qytetari: Dua të takoj pak Dritan Hysën! Më thanë, që punon këtu.

Kapiteneria: Jo!

Qytetari: Detar!

Kapiteneria: Dritan Hysa, s’ka këtu.

Qytetari:  Ore të pyes për një djalë, një Dritan Hysa. Punon detar.

Detari: Dritan Hysa?

Qytetari:  Po!

Detari: Jo o shoku, s’njof kënd. Detar jam, por Dritan Hysa, s’kam njohur ndonjë në këtë vendin këtu, që jam.

Komanda e Forcave Detare

Qytetari: Kërkoj një detar Dritan Hysa!

Detari: Dritan Hysa, s’e di. S’e njof unë. U bona unë 3 vjet aty.

Baza ushtarake te Kepi i Palit

Qytetari: Ore më thanë, që është një detar këtu. Një Dritan Hysi!

Detari: Dritan Hysi?

Qytetari:  Hysa!

Detari: Jo, Dritan Hysa s’ka këtu. Dritan Hysa s’kam dëgjuar.

Në Ministrinë e Mbrojtjes u tha se është informacion i klasifikuar dhe nuk mund t’i vihej në dispozicion programit. Në këtë mënyrë, qytetari denoncues rezulton i mashtruar, ndërsa dokumentet e institucioneve janë nëpër duart e kujtdo.

Si lëvizje të fundit, gazetarja telefonoi Dritan Hysën.

Dritan Hysa: Ka ndodhur një neglizhencë nga ana ime, por edhe nga ana e atij zotërisë.

Gazetarja: E kuptoj, por janë kaq muaj tashmë. Të paktën të përfundonte ajo akt shitje sepse ju pagesën e keni marrë.

Dritan Hysa: Nuk kam pasur mundësi, nuk ka lidhje sorollatja.

Gazetarja: Ku punoni ju?

Dritan Hysa: Në ndërtim.

Gazetarja: Unë kur ju pyeta nëse jeni pjesë e Komandës së Forcave Detare, më thatë po.

Dritan Hysa: Kam qenë dikur, kam qenë dikur.

Gazetarja:  Sepse ju keni dhënë një dokument pune tek qytetari.

Dritan Hysa: Ia dhashë sepse ai kishte frikë. Kisha kartën time të identitetit dhe atë të kësaj… Kishte frikë atë ditë, ta merrte makinën.

Gazetarja: Si mund t’i jepni një leje-hyrje që tashmë ajo nuk është funksionale? E para e punës, nuk duhet ta jepni fare e mbi të gjitha që nuk jeni në punë  dhe prapë e keni dhënë për t’iu shmangur policisë.

Dritan Hysa: Nuk ia dhashë për t’iu shmangur policisë, thjesht ia dhashë për mirëbesim se ai kishte frikë për pjesën e noterisë. Asaj i ka mbaruar vlefshmëria. Ajo është thjesht një fletë-hyrje, për të hyrë në një vend e për të dalë.

Gazetarja: Fletë-hyrje për të hyrë ku?

Dritan Hysa: Për të hyrë në repart dhe për të dalë nga reparti. Është thjesht një portofol që është blerë në treg tek i cili është futur karta dhe është futur fletë-hyrja.

Me ndërhyrjen e emisionit, u bë e mundur të firmosej akt shitja dhe qytetari është pronar i automjetit.

Persona me kriza azme, mungon medikamenti, që lehtëson frymëmarrjen

Salbutamol është një medikament për pacientët që vuajnë nga astma. Ky ilaç çliron rrugët e frymëmarrjes dhe mushkërinë. Në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan ka mbërritur një mesazh për mungesën e këtij medikamenti.

Një qytetar nga Shkodra tregon se e ka të nevojshëm këtë ilaç, por nuk gjendet as në qytetin e tij e as në Shkodër. Konstatohet se Salbutamol nuk gjendet në asnjë farmaci. “Stop” u interesua te Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor ku thanë se ilaçi nuk është me rimbursim dhe mund të zëvendësohet. Për këtë duhet shkuar te mjeku i familjes për t’i dhënë zgjidhje alternative.

FSDKSH: Ke alternativa të tjera, që janë po pompë dhe daja të shkojë te mjeku i familjes që t’i japë një alternativë tjetër. Mjekja i përshkruan çdo lloj ilaçi të mundshëm, që mund të jetë. Për sa i përket listës, për të cilën ne përgjigjemi, listës me rimbursim, unë po të them që ka alternativa të tjera që zëvendësojnë këtë Ventolinin. Thjesht Ventolini prodhohet nga një kompani dhe kjo pompa tjetër prodhohet nga një kompani, domethënë është thjesht çështje emrash.

Por asnjë zgjidhje nuk kishte për denoncuesin e të tjerët që kanë probleme si të tijat.

/tvklan.al