Pas publikimit të bisedës së regjistruar telefonike mes Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Çlirim Hajdarmataj, Drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrureshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, ku ky i fundit pushohej nga puna pasi kishte munguar në një mbledhje të asamblesë të Partisë Socialiste, ka reaguar Ministri Beqaj. 

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Beqaj shkruan se telefonata e transmetuar mbrëmjen e sotme është e vërtetë, por jo e gjithë e vërteta.

Ministri shprehet se Hajdarmataj nuk është larguar nga puna si anëtar i padisiplinuar i PS -së dhe as është larguar me kërkesën e tij.

Beqaj sqaron se ai është larguar pasi është kapur në shkelje flagrante të ligjit. Sipas tij, Hajdarmataj i ka paguar rrogën për tre muaj personit në detyrën e ekonomistit, i cili nuk ka qenë fare në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Reagimi i plotë:

Po, ajo çka është inçizuar dhe transmetuar sonte si një “skandal” i madh, është e vërtetë, por jo e gjithë e vërteta. Sepse, faktikisht, zotëria nuk është larguar nga puna si anëtar i padisiplinuar i PS-së dhe as është larguar me kërkesën time.

Por, është larguar pasi është kapur në shkelje flagrante të ligjit.

Shkelja në fjalë ishte se i ka paguar rrogën për tre muaj personit në detyrën e ekonomistit, i cili që nuk ka qenë fare në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Kështu që, duke shprehur keqardhjen që “u mbars mali e polli një mi”, si dhe duke i siguruar teleshikuesit apo lexuesit e gjysëminformuar mbi këtë episod, se hakmarrja e asnjëlloj natyre nuk është as pjesë e kulturës sime shoqërore, apo aq më pak e edukatës sime familjare, mbetem i përkushtuar në realizimin e objektivave të Qeverisë në sektorin ku kam nderin të drejtoj si ministër i shëndetësisë./

tvklan.al