Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Qeveria planifikon të privatizojë brenda këtij viti, aksionet shtetërore të tre kompanive të mëdha INSIG, Albtelecom dhe ARMO. Sipas burimeve të BERZH-it brenda kësaj javë, shteti do të marrë paratë e shitjes së 40% të aksioneve të INSIG-ut, akorduar institucioneve ndërkombëtare. Kjo kompani brenda vitit parashikohet të gjejë investitorin strategjik. Pritet që për privatizimin e 60% të aksioneve ende shtetërore të INSIG-ut, të mos ketë tender të hapur.

Albtelecom e përfolur kohët e fundit për problemet financiare, tashmë është gati për privatizim. Kusht për privatizimin e Albtelecomit është që investitori të parashikojë investime për pesë vite pas marrjes së aksioneve. Qeveria parashikon të shesë nga 51-76% të aksioneve, një investitori strategjik, si për kompaninë e telefonisë fikse Albtelecom, ashtu dhe për celularin e tretë Eagle Mobile, pronë e kësaj kompanie.

Kompania e përpunimit dhe marketimit të naftës, ARMO është planifikuar të privatizohet me tender të hapur ndërkombëtar në dy faza. Kompania që do të kërkojë të blejë ARMO-n, duhet të ketë afro tre vjet eksperiencë në fushën e naftës dhe një kapital tërësisht të paguar deri në 51 milion dollarë.

Ministria e Ekonomisë ka hedhur për debat publik mënyrat e privatizimit. Afro 5-10% e të ardhurave nga privatizimet do t’i akordohet kësaj ministrie për menaxhimin e procesit të tenderit, si dhe për pagesën e konsulentit të privatizimit. Paratë e përfituara nga këto privatizime, parashikohet të përfshihen në buxhetin e vitit 2005./tvklan.al