Zyrtari i lartë i administratës së Hamasit, Ehab Al-Ghussein ishte mes 4 personave të vrarë si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një shkollë në Gaza. Lajmin e kanë bërë të ditur burimet palestineze për prestigjiozen BBC News.

Një zyrtar lokal u shpreh se Ehab Al-Ghussein ishte emëruar për menaxhimin e punëve të qeverisë së Hamasit në Gaza 3 muaj më parë.

Zyrtari i Hamasit kishte qenë më parë zëvendësministër i punës në administratën e Hamasit dhe më parë zëdhënës i ministrisë së brendshme. Ai konsiderohej një figurë e rëndësishme në udhëheqjen e administratës së Hamasit.

Ndërkohë, ushtria izraelite pretendon se ka kryer sulmin në ndërtesën e shkollës në Gaza pasi terroristët vepronin dhe fshiheshin aty dhe shton se kanë marrë hapa për minimizimin e rrezikut të dëmtimit të civilëve.

Në 9 muajt e fundit janë vrarë shumë të tjerë në administratën e Hamasit. Në një sulm ajror izraelit Nëntorin e kaluar, zëvendësministri i kulturës dhe nënkryetari i këshillit legjislativ u vranë së bashku me punonjës dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, si dhe oficerë të lartë policie./tvklan.al