Në futboll ndodh të luash dobët, por edhe të fitosh. I ka ndodhur Vllaznisë në përballjen e javës së pestë me Bylisin, ndeshje e luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Skuadra shkodrane ka bërë një lojë të dobët, por një goditje dënimi e Sinanit në të 18-tin i ka dhënën fitoren dhe 3 pikët. Rezultati është vlerësuar dhe nga trajneri i Vllaznisë Agim Canaj.

Agim Canaj: “Po në fund të fundit ne vetëm fituam dhe nuk zhvilluam një lojë të mirë për të arritur një objektiv maksimal duhet përkushtim, duhet edh enë fushën tënde dhe jashtë ashtu si edhe Ballshi dmth që e vlerësoj shumë për lojën që sot zhvilloi edhe me të drejtë ajo mund të merrte dhe barazimin.”

Vllaznia shfaqi probleme, nuk ishte në formë të mirë mesfushe, e cila nuk është kuptuar siç duhet me repartin e sulmit, lojtarët nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë edhe si shkak i dëmtimeve. I ka rënduar gjërat edhe shiu i fortë që nisi gati prej fillimit të pjesës së dytë. Me të drejtë trajneri Canaj pranon se Bylisi mund të kish marrë dhe barazimin, të njëjtin mendim ka shprehur dhe Hysen Dedja pasardhësi i Farkuk Sejdinit në pankinën e Ballshiotëve.

Hysen Dedja: “ Kemi lojtarë në skuadër mjaft të mirë ashtu si edhe disa lojtarë të tjerë që mendoj që ndofta nuk i takon me qenë pjesëtarë të një ekipi në superiore… Mendoj që më i drejtë ç’ka u dha për 90 minuta do të ishte barazimi.”

Tirana-Flamurtari, Besa-Teuta dhe Lushnja-Dinamo janë ndeshje që do të luhen të shtunën të vlefshme për javën e pestë të superligës./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe