Nesër në Kotor të Malit të Zi mbahet samiti i radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pjesë e tij pritet të jenë krerët e qeverive të rajonit, zyrtarë të Bashkimit Europian, por edhe përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, ndodhet në Kotor për të ndjekur nga afër samitin.

Ajo zbulon detaje se çfarë do të diskutohet në këtë samitin e Malit të Zi.

“Qëllimi është për të folur për planin e rritjes. Komisioni Europian ka miratuar një plan rritje për Ballkanin Perëndimor që shkon në vlerën e 6 miliardë Eurove. Në Kotor janë 3 Kryeministra shqiptarë; Edi Rama, Albin Kurti dhe Kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Ka ardhur dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, mikëpritësi dhe pritet t’ju bashkohet ditën e nesërme edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ende nuk ka një konfirmim 100% nëse do të jetë ai apo do të jetë Kryeministri Millosh Vuçeviç. Ky samit është emërtuar si “Një rajon, një vizion i përbashkët”.

Gazetarja Elja Zotka tregon se si do të jepen paratë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çfarë kërkohet prej këtyre shteteve.

“Do të jepet vetëm në bazë të meritës. Duhet që të plotësojnë reformat që më pas kjo të përkthehet në para. Është miratuar në 7 Maj edhe nga Këshilli Europian ky fond dhe shumë shpejt do të fillojë të alokohet, por vetëm në bazë të meritës. Të 6 vendet duhet të prezantojnë një plan me reforma, do t’ja prezantojnë BE-së. Shqipëria e ka gati këtë plan, është dorëzuar në Komisionin Europian në Tiranë 1 muaj më parë një draft me të gjitha prioritet e reformave që ka qeveria shqiptare dhe pasi të miratohet edhe në qeveri, besoj këtë muaj, do t’i prezantohet edhe Brukselit. Besoj që ky plan i Shqipërisë do të prezantohet edhe nga Kryeministri Rama në samitin e ditës së nesërme dhe janë 5 shtyllat ku është bazuar ky plan kombëtare; do të jetë shteti i së drejtë, klima e biznesit, kapitali njerëzor, aftësitë dixhitale, energjia dhe tranzicioni”.

Samiti i fundit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në Tiranë më 29 Shkurt.

Tv Klan