Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, kanë dalë sot me një deklaratë të përbashkët në lidhje me Kartën e Adriatikut në fushën e mbrojtjes. Kjo deklaratë u përpilua pas një takimi trepalësh, ku ministrat e mbrojtjes, përkatësisht ai i Shqipërisë Majko, i Maqedonisë Buçkovski, si dhe Ministrja kroate e Mbrojtjes Antunoviç, zhvilluan në Tiranë.

Po si u zhvilluan takimet e ditës së sotme?

Në orët e mesditës Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko priti në takime dypalëshe fillimisht Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë Vllado Buçkovski dhe më pas homologen e tij kroate Zhelka Antunoviç. Më pas u zhvillua dhe takimi trepalësh të tre ministrave të mbrojtjes. Së pari e mori fjalën ministri ynë i mbrojtjes Majko, i cili ndër të tjera tha:

Pandeli Majko:- “Miratimi i dokumentit të sotëm, bënë të mundur intensifikimin e bashkëpunimit bilateral dhe trelateral në fushën e mbrojtjes. Kjo gjë kërkon që menjëherë pas këtij dokumenti të vijohet puna në nivel ekspertësh, për hartimin e programit të përbashkët ushtarak për vitin 2004. Takimet periodike dhe shkëmbimet e pikëpamjeve në nivelin më të lartë të vendimmarrjes politike dhe ushtarake dhe në nivel ekspertësh, duhet të kthehen në traditë, për shkak të ndikimit të tyre, të drejtpërdrejtë në nivelin e marrëdhënieve tona”.

Gjatë fjalës së tyre, dy ministrat e mbrojtjes të Kroacisë dhe Maqedonisë shprehën pikësynimet e tyre për një bashkëpunim të ngushtë ushtarak në fushën e sigurisë rajonale, si një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta për realizimin e anëtarësimit të plotë në NATO.

Disa nga pikat e kësaj deklarate ishte dhe mbajtja e takimeve vjetore trepalëshe për të diskutuar progresin në përmbushjen e objektivave për integrimin në strukturat euroatlantike, vazhdimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ushtarak bilateral ekzistues me vendet e tjera në rajon e më gjerë, të cilët ndajnë interesin e përbashkët për ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit në të gjithë rajonin tonë./tvklan.al