Izraeli ka vendosur tanket në Jabalia lindore në Rripin verior të Gazës pas bombardimeve të rënda ajrore dhe tokësore që kanë vrarë 19 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Jabalia është më i madhi nga tetë kampet historike të refugjatëve të Gazës, ku ushtria izraelite ka zgjeruar urdhrat e saj të evakuimit për palestinezët që ndodhen në pjesët e shkatërruara veriore të Gazës.

Daniel Hagari, zëdhënësi ushtarak i Izraelit, u shpreh se forcat izraelite që vepronin në rrethin Zeitoun të qytetit të Gazës vranë rreth 30 militantë palestinezë.

“Lufta po rifillon, kështu duket në Jabalia. Inkursioni i ri detyron shumë familje të evakuohen”, u shpreh Hagari.

Ndërkaq mijëra familje vijojnë të largohen nga Rafahu Lindor në perëndim drejt “zonës humanitare” të Al-Mawasi. Kompania Palestineze e Telekomunikacionit (Paltel) ka raportuar gjithashtu ndërprerje të rrjetit fiks të internetit në zonat në jug të Rripit të Gazës për shkak të operacioneve ushtarake izraelite.

Nga ana tjetër, Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron gjatë një interviste për BBC ka deklaruar se nëse Mbretëria e Bashkuar do të ndalonte shitjen e armëve Izraelit, kjo vetëm do të forconte Hamasin.

David Cameron, Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe: Kjo do të ishte një lëvizje shumë e gabuar. Thjesht ne do të ndryshojmë qasjen tonë për eksportet e armëve, kjo do ta bënte Hamasin më të fortë dhe do të bënte më pak të mundshme një marrëveshje pengjesh.

Cameron tha se ai nuk do të mbështeste një ofensivë të madhe tokësore në qytetin Rafah të Gazës, por theksoi se Britania e Madhe nuk do të ndiqte planin e SHBA-së për të ndalur eksportin e armëve. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar furnizon vetëm 1% të armëve të Izraelit dhe paralajmëroi se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar ndihmën humanitare.

Klan News