Ende pa hyrë stina e verës, në Indi po thyhen temperatura që janë pazakonta edhe për periudhën e kulmit të vapës. 52.3 gradë Celsius është rekordi i të gjitha kohërave në Indi që u thye pasditen e kësaj të Mërkure në rajonin e Delhit, ku bën pjesë edhe kryeqyteti Nju Delhi.

Temperaturën 50 gradë Celsius e arritën edhe shumë qytete të tjerë në veri të vendit këtë të Mërkurë, ndërsa në gjithë Indinë, këtë javë janë regjistruar temperatura nga 45 deri 50 gradë Celsius. Rajoni i Raxhastanit mban rekordin me 12 ditë nën zotërimin e këtyre temperaturave.

Ato janë nga 4 deri në 7 gradë mbi normalen e kësaj periudhe. Këtë vit, vapa e pazakontë ka mbërthyer vendin që prej Marsit dhe deri më tani ka patur 60 të vdekur. Autoritetet vendase japin alarmin për numrin jashtëzakonisht të lartë të personave me probleme shëndetësore, kryesisht kardiovaskulare të shkaktuara nga vapa.

Në kushte të tilla është e pamundur të punohet nëpër zyra ku nuk ka kondicionerë ose në ambiente të hapura dhe të ekspozuara drejtpërdrejt në diell.

Në këto kushte të diktuara nga çrregullimet e shkaktuara nga ngrohja globale në gjithë globin, pyetja që shtrohet është se sa mund të shkojnë temperaturat në Korrik dhe Gusht në kulmin e verës.

Tv Klan