Ekzekuton gruan me një plumb në kokë dhe më pas qëllon mbi veten. Tragjedia brenda çiftit këtë radhë ka pasur edhe dëshmitarë të shumtë. Në orën 16 të pasdites në rrugën e Porcelanit, fare pranë stacionit të autobusit efektivi i komisariatit nr. 2 në Tiranë Azir Salahaj rreth 50 vjeç ka qëlluar mbi vajzën me të cilën bashkëjetonte, Anila Laze rreth të 30-ave.

Dëshmitarë okularë në vendngjarje pohuan se çifti ka dalë nga shtëpia që gjendej fare pranë vendit të ekzekutimit. Sipas të dhënave të para mësohet se konflikti e më pas debati ka lindur për motive xhelozie.

Të shtënat janë dëgjuar fare mirë ndërsa të bërtiturat e kalimtarëve të rastit ka bërë që dëshmitarët e këtij ekzekutimi të jenë të shumtë. Trupat e viktimave janë gjetur pak hapa larg njëri tjetrit ndërsa vetëm pak minuta më pas aty janë parë edhe dy djemtë e efektivit të policisë, njëri prej të cilëve është shoqëruar nga policia në komisariat për të dhënë dëshminë e tij.

Ekspertë të kriminalistikës dhe prokurorët kanë mbledhur provat, armën e krimit dhe gëzhojat e gjetur në vendin e ngjarjes. Trupat janë transportuar të ndarë për në morgun e Tiranës ku pritet të kryhet dhe akt ekspertiza mjekoligjore./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Enver Shehu