Lajme Arkiva 2003

Në Spitalin Ushtarak bashkë me reformën për shkurtimin e një pjese të personelit ka nisur edhe ndryshimet e para në shërbimin e pacientëve. Tre firma private kanë marrë përsipër se cila kujdesin për gatimin për pacientët dhe personelin e spitalit, pastrimin dhe shërbimin.

Kjo pritet të rrisë cilësinë e shërbimit në spital, por edhe të largojë nga puna rreth 205 punonjës nga 700 të tillë që punojnë aty. Ata po merren në intervistë nga firmat përkatëse dhe më pas do të përzgjidhen.

Sanitarja: Jam sanitare quhem Natasha Qose, më kanë thirrur dje në testim në datën 1 do të kualifikohemi. Tani e ka drejtoria në dorë.

Edhe pse në Spitalin Ushtarak ka një numër probleme të ngjashme me spitalet e tjerë si për shembull mungesa e disa medikamenteve këtë herë ne u interesuam për cilësinë e shërbimit, i cili ka nisur të përmirësohet.

Pacient: Ushqimi është shumë i mirë, ambienti pastrohet 3-4 herë në ditë.

Gazetarja: Mënyra e shërbimit si ju duket?

Pacient: Mirë, shumë mirë, kontrollojnë infermieret çdo orë.

E afërmja e pacientit: Jam mamaja e djalit, kam 2 ditë që është operuar me doktor Panajotin për dy ditë që jemi këtu jemi shumë të kënaqur.

Aktualisht në spital po montohet skaneri mjaft i nevojshëm i cili ka munguar këtu dhe që është dhuruar nga qeveria amerikane. Ndërsa për lëvizjen e pacientëve nga njëri pavijon në tjetrin punonjësit e spitalit do të shpenzojnë më pak energji dhe kohë pasi do të përdorin ashensorët. Spitali Ushtarak i cili përballon një numër mjaft të madh pacientësh  nga të gjitha rrethet e Shqipërisë pritet të ketë një fytyrë tjetër pas pak javësh./tvklan.al