Humb jetën në spital 34-vjeçari Amarildo Hoxhallari. I riu mbeti fillimisht i plagosur me thikë pasditen e kësaj të shtune në Tiranë, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe humbi jetën.

Gazetari Besar Bajraktaraj mëson se 34-vjeçari shkoi në gjendje të rëndë në spital, pasi kishte marrë katër goditje me thikë; dy në kraharor e dy në këmbë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:45 në zonën e Unazës së Re. Autor i dyshuar i vrasjes së Hoxhallarit është 25-vjeçari Darmend Keli, i cili u arrestua nga policia.

Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Tiranës tha se shkak për ngjarjen u bë një sherr për motive të dobëta. Dyshimet janë se shkak është bërë ngacmimi i të dashurës së autorit nga viktima.

Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë pista të tjera, kjo edhe për shkak të së shkuarës së Amarildo Hoxhallarit, i cili rezulton të jetë person me precedentë penalë.

Në vitin 2015, kur ishte 25-vjeç, ai u arrestua së bashku kushëririn e tij Aurel Hoxhallari për një tentativë vrasje, ku mbetën të plagosur 2 persona. Bëhet fjalë për atentatin e dështuar ndaj Pajtim Serjanit, mik i Emiljano Shullazit dhe plagosjen e efektivit Roland Meta.