Netanyahu i ka cilësuar kritikat nga SHBA dhe thirrjet për zgjedhje të reja, si krejtësisht të papërshtatshme

Forcat izraelite kanë sulmuar Spitalin al-Shifa të Gazës, bastisja e katërta që nga tetori. Ushtria izraelite pretendon se luftëtarët e Hamasit janë rigrupuar brenda spitalit, por grupi ka deklaruar se Izraeli po justifikon krimet e luftës.

Trupat izraelite bastisën kompleksin e Spitalit Al – Shifa të Gazës në një operacion për të cilin autoritetet  palestineze thanë se kishte shkaktuar shumë viktima. Një zjarr shpërtheu në hyrje të kompleksit, duke shkaktuar asfiksime tek gratë dhe fëmijët e zhvendosur në spitalin al Shifa.

Hamasi tha në një deklaratë se ushtria izraelite kishte kryer një krim të ri duke synuar drejtpërdrejt ndërtesat e spitalit pa u kujdesur për pacientët, stafin mjekësor apo njerëzit e zhvendosur në të.

Komunikimi është ndërprerë, ndërsa disa njerëz rezultojnë të bllokuar brenda njësive të kirurgjisë dhe emergjencave të njërës prej ndërtesave. Izraeli u kritikua ashpër vitin e kaluar kur trupat sulmuan për herë të parë spitalin al Shifa, ku zbuluan tunele nëntokësore që ata thanë se përdoreshin si qendra komandimi dhe kontrolli nga Hamasi.

Ndërkaq kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka cilësuar kritikat nga Shtetet e Bashkuara dhe thirrjet për zgjedhje të reja, për rolin e tij drejtues, si krejtësisht të papërshtatshme. Netanyahu u shpreh se nuk do të kishte bërë kurrë thirrje për zgjedhje të reja në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. Presidenti Joe Biden akuzoi Netanyahu se e ka dëmtuar Izraelin me nivelin jashtëzakonisht të lartë të viktimave në radhët e civilëve në Gazë.

Mes të tjerash kryeministri izraelit u zotua se do të vazhdojë me fushatën ushtarake kundër Hamasit në Gaza, ku agjencitë e ndihmave thonë se zia e bukës po afrohet, ndërsa bisedimet për armëpushim kanë rifilluar. “Ne do të operojmë në Rafah. Kjo do të zgjasë disa javë dhe do të ndodhë,” tha ai, pa sqaruar se kur do të nisë ofensiva tokësore edhe theksoi se nuk do të linte civilë të bllokuar në Rafah kur forcat e tij të fillonin sulmin e tyre.

Klan News