Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Trafiku dhe korrupsioni, dy fenomenet më negative të shoqërisë së sotme shqiptare, bashkohen me njëra-tjetrën, në faktin se korrupsioni në rend dhe drejtësi është shkaktari kryesor që vajza dhe gra shqiptare mbeten viktima të prostitucionit.

Koalicioni shqiptar kundër korrupsionit ka thirrur me këtë qëllim në një tryezë të përbashkët, përfaqësues të qeverisë dhe drejtësisë shqiptare, në prezencë dhe të trupit diplomatik në Tiranë. Fakti që trafikantët e femrave mbrohen struktura të korruptuara, sidomos policinë lokale, tashmë është publikuar në raportet e organizmave evropian dhe të Departamentit të Shtetit. Ambasadori amerikan në Shqipëri Jeffrey, ka apeluar konkretisht mbi këtë fakt.

James Jeffrey:- “Sot kam dy lajme për t’ju dhënë, një të mirë dhe një të keq. Është fakt që shohim progres në rënien e matshme të trafikut njerëzor në Shqipëri dhe përmes Shqipërisë, por lajmi i keq qëndron në faktin se rrënjët e trafikimit janë të thella. Sistemet e korruptimit të bandave kriminale ekzistojnë dhe prandaj ka ardhur koha, që shteti të vlerësojë dhe bashkëpunojë me punën e organizmave jo qeveritarë kundër trafiqeve”.

Ndërsa Kreshnik Spahiu, drejtor i Zyrës në Mbrojtje të Qytetarëve, këtë fenomen e ka ilustruar me një nga rastet e fundit, kur policia e Elbasanit ndihmoi hapur, trafikantët e një 17 vjeçareje të shitur për 6 mijë euro.

Kreshnik Spahiu:- “E ëma e saj, kishte insistuar muaj të tërë, që kur ajo ishte 15 vjeç, që të prostituonte me arsyetimin se ajo duhet të mbante familjen e saj. Ndonëse kishin kaluar rreth dy javë nga denoncimi, policia nuk kishte ndaluar as trafikantët, as prindërit e vajzës, madje nuk kishin kryer as veprimet hetimore. Ajo është një nga qindra rastet të këtij fenomeni shqiptar, por edhe tutori i saj është një nga mijëra, të cilët ndihen ende të paprekshëm”.

Me gjykimin e Aleancës Shqiptare kundër Korrupsionit është bashkuar edhe kryeprokurori Theodhori Sollaku. I ftuar në këtë tryezë kreu i organit të akuzës ka pranuar se drejtësia shqiptare ndodhet në presione të rënda të rrjeteve trafikuese, por unë pres çdo lloj informacione për raste konkrete është shprehur Sollaku, duke premtuar bashkëpunim maksimal nga organi që ai drejton./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj