Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ka dështuar tryeza e radhës mes pozitës dhe opozitës. Pas konsensusit të arritur në tryezën e mëparshme, kësaj here diskutimet u përqendruan tek përbërja dhe vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilën të dyja palët nuk lëvizën nga qëndrimet e mëparshme.

Pas më shumë se 3 orë debat, socialistët propozuan të ngrihet një komision ekspertësh, për të diskutuar këto çështje nga ana teknike. Kjo është hedhur poshtë nga opozita, e cila me arritjen e konsensusit për KQZ, kondicionin pjesëmarrjen në tryezë.

Arben Malaj:- “Takimi i sotëm, nuk arriti t’i jepte një zgjidhje përfundimtare. Ne i propozuam opozitës, që ekspertët e të dyja palëve të trajtonin me vëmendje të veçantë çdo propozim, pra të kishte një tryezë ekspertësh nga PS, nga partitë e Aleancës për Shtetin dhe nga opozita, të diskutonim për propozimet dhe për ato elemente që do të gjendej një mirëkuptim, mazhoranca ka vullnetin e plotë politik, që këto propozime t’i kthejë në marrëveshje”.

Fatmir Mediu:- “Në konceptin e opozitës, ne dhamë frymën e bashkëpunimit. Në qoftë se dështimi vjen në mënyrë të njëanshme, se socialistët nuk marrin përsipër asnjë gjë nga ato që propozon opozita, atëherë këtë përgjigje për dështimin e tryezës, duhet t’ia kërkoni palës socialiste”.

Vili Minarolli:- “Tryezë për t’u marrë me cikërrima, tryezë për t’u marrë me makijazh, nuk ka vlerë të zhvillojë klasa politike në Shqipëri. Nëse tryeza do të rimarrë obligimin, për të ndryshuar infrastrukturën e zgjedhjeve, atëherë tryeza ka kuptim të vazhdojë”.

Pozita dhe opozita i kanë paraqitur njëra-tjetrës amendamentet për kodin elektoral. Partitë opozitare, kanë rënë dakord me amendamentet e mazhorancës, ndërsa këto të fundit nuk i kanë pranuar të gjitha pikat./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego