Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përplasi ish-presidentin e republikës Rexhep Mejdani me kreun aktual të gjykatës kushtetuese. Në mënyrë specifike debati është përqendruar në moszbatimin e vendimit të kësaj gjykate për ish-prokurorin e përgjithshëm Arben Rakipi.

Rexhep Mejdani: “Ekziston një problem kohor edhe për procedura, apo për pezullime ligji të cilat kanë pasur pasoja në periudhën para pezullimit dhe për rastin e prokurorit në 2002. Do me thënë gjykata kushtetuese mori vendimin të hënën pasi ishin bërë të gjithë procedurat ishin emëruar prokurori i ri, bëri vendimin të hënën për procedurë për thirrje, të martën mori vendimin për kthim të tij. Dhe natyrisht që se po për sipër, parlamenti nuk e mori më në shqyrtim dha dorëheqjen kryetari i parlamentit.”

Por Vladimir Kristo kryetar i gjykatës kushtetuese ngërçin e sheh gjetkë.

Vladimir Kristo: “Nuk ka probleme ekzekutimin e vendimeve, por unë konstatoj me keqardhje që në Shqipëri ka një kontradiktë të madhe midis angazhimit me të cilën prodhohen ligje, nxirren ligje. Dëshirës për t’i përshtatur për t’i përafruar me ligjet e komitetit evropian dhe me forcën e tyre zbatuese.”

Në vitin 2002 Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj për të cilësuar të pa drejtë vendimin e parlamentit për shkarkimin e Rakipit në një kohë kur ishte zgjedhur zëvendësuesi i tij në mënyrë të pakuptimtë  i jepte vendit dy drejtues të organit të akuzës. Ndërkohë aktualisht nuk është marrë ende një vendim për ish-kryeprokurorin Sollaku, i cili pas shkarkimit nga parlamenti e ankimoj vendimin në kushtetuese.

Në tryezën për zbatueshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është publikuar fakti, se 12 % e vendimeve të saj edhe pse janë të detyrueshme nuk janë zbatuar./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka