Kanë dalë të fituar në betejën e tyre të parë ligjore me prokurorinë. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Andi Toma. Janë përballur në seancë me prokurorin Arben Kraja dhe pse ndaj tyre është ngritur akuza e rëndë si shpërdorim detyre, me pasojë një dëm ekonomik të shkaktuar shtetit nga projekti i ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.

Genc Gjokutaj: “Prokurori ka pasur në dispozicion që nga dita e njoftimit tonë, por nuk është data 6 tetor data e cila prokurori ka pasur në dispozicion aktin e ekspertimit. Është data 29 shtator, që zoti prokuror deri në datën 6 nëntor nuk ka konkluduar akoma dhe kërkon një zgjatje tjetër objekti i ankimit.”

Por debatet juridike mes avokatit ligjor të dy zyrtareve të marrë të pandehur dhe prokurorit të çështjes pranë Prokurorisë së Përgjithshme kanë bindur gjyqtarin Sokol Tona, të shpallë vendimin se zgjatja e hetimeve nga prokurori Kraja për çështjen Durrës-Kukës deri në 6 dhjetor është e pajustifikueshëm.

Sokol Tona: “Përfundimisht bazuar në nenin 325 të kodit të procedurës penale vendosi: Pranimin e bërë nga ankuesit Armand Teliti dhe Andi Toma në objekt kundërshtimin e vendimit të zyrës së prokurorit të përgjithshëm në lidhje me zgjatjen e afatit të hetimeve të procedimit penal numër një të vitit 2007 nga data 6 nëntor 2008 deri në datën 6 dhjetor 2008. Shfuqizimin e vendimit datë 6 nëntor 2008 të prokurorit, pranë zyrës së prokurorit të përgjithshëm, në lidhje me zgjatjen e afateve për një periudhë kohe një mujore që ka të bëjë me procedimin penal numër 1 të vitit 2007.”

Pas shpalljes së vendimit prokurori i çështjes deklaroi se do të apelojë vendimin e gjyqtarit Tona. Por gjithsesi vendimi i këtij gjyqtari do të thotë së çdo veprim hetimor që do të kryhet pas datës së shpalljes së këtij vendimi nuk do të shërbejë më si provë nesër në procesin gjyqësor.

Armand Teliti: “Falënderoj gjykatën për vendimin që mori duke i dhënë të drejtë pretendimit tonë që prokuroria po shtynte në mënyrë të qëllimshme dhe të pambarimtë këtë hetim. Dhe ne jemi të gatshëm të përballemi me çdo vendim të prokurorisë, pasi absolutisht ndihemi komod dhe të pafajshëm në këtë çështje.”

Genc Gjokutaj: “Mënyra e përfundimit të hetimeve ne nuk na intereson pasi neve e kemi thënë që ditën e parë në mbrojtjen tonë, që nuk ekziston asnjë provë apo indicje në lidhje me akuzat që janë ngritur.”

Çështja Durrës-Kukës, u kallëzua në prokurori nga Kontrolli Lartë i Shtetit, i cili deklaroi se nga ana e zyrtarëve që patën marrë përsipër projektin e rrugës, shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik.

Në përgjegjësi penale u morën këta dy zyrtarë, ndërsa ne hetim mbetet ende ish-ministri i transporteve, sot ministër i Jashtëm Lulzim Basha.

Armand Teliti: “Unë iu kam referuar pronogotacion politik prokurorisë qysh ditën e parë që kam shkuar atje, kur më është komunikuar akuza dhe vazhdoj ti qëndroj kësaj.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani