Konventa e jashtëzakonshme e LSI ka nisur me thirrje ku shprehej dukshëm shqetësimi për zgjedhjet e ardhshme kuvendore. Kryetari Ilir Meta tha  se garancitë që vota të jetë e lirë po zbehen gjithnjë e më shumë. Ai akuzoi me tone të ashpra Berishën dhe Ramën për bashkëpunim në dëm të interesave të shqiptarëve.

Ilir Meta: “Jo, jo, jo korrupsion, sepse është korrupsioni konsensual Berisha-Rama që kërkon të instalojë diktaturën në vendin e shqiptarëve dhe të shqiponjave. Duke shpërndarë që të dy në mënyrë konsensuale veç e veç, por edhe së bashku tendera, koncesione, sheshe ndërtimi.”

Gjatë fjalimit të tij Meta u kujdes të sqarojë se ky reagim nuk synon përfitimin e ndonjë privilegji personal prej LSI. Shqetësimi  kryesor lidhet me përjashtimin që dy forcat e mëdha, po i bëjnë LSI nga procesi i administrimit të votës. Kjo për Metën krijon baza për manipulim të rezultatit.

Me të njëjtin shqetësim, i është drejtuar të pranishmeve edhe Artur Zheji në cilësinë e kryetarit të komitetit për mbrojtjen e kushtetutës.

Artur Zheji: “Ndryshime të tjera të kobshme të cilat duan t’i lënë shqiptarët pa zgjedhje të lira, duke përjashtuar me forcën e kartonave parlamentar të shitur, të gjitha partitë politike të tjera nga konkurrimi politik i garantuar.”

Ashtu siç ishte paralajmëruar reagimi i LSI që mbështetet në këtë aksion të saj dhe PS 91 do të vijojë edhe me protesta. E para u zhvillua sot përpara selisë së OSBE të vendosur  në një prej hoteleve më të njohura në Tiranë.

Pas 15 minutash thirrje të vazhdueshme të anëtareve të kësaj force politike, ambasadori Bosch ka dalë për të takuar protestuesit.

Robert Bosch: “E shoh që keni ardhur në një grup të madh dhe doja t’ju siguroja se OSBE është në favor të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ne duam një proces sa më përfshirës të jetë e mundur dhe këtë po përpiqemi ta promovojmë gjatë gjithë kohës. Por sigurisht në demokraci ka një parlament dhe kur ai vendos në mënyrë demokratike, OSBE nuk mund të protestojë kundër asgjëje. Do të ketë zgjedhje të reja dhe presupozohet që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Ka një sistem të ri elektoral, i cili duhet të përdoret në mënyrën më të mirë dhe ne do të ushtrojmë sa më shumë presion që procesi të jetë sa më përfshirës. Në pikëpamjen time në atë çfarë është në tavolinë, unë do të preferoja që KQZ të mos e bënim 6+1, por 8+1.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi