Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Në Turqinë veri-perëndimore në zonën e tërmetit të fuqishëm vazhdojnë kërkimet për gjetjen e mundshme të të mbijetuarve. Deri tani burime të ndryshme deklarojnë se shifra e të vdekurve ëshë 12134 vetë kur mendohet se nën gërmadhat e godinave të shkatërruara mund të ndodhen edhe rreth 40 mijë të tjerë. Ndërsa të plagosur janë rreth 33 mijë persona. Shifrat janë deklaruar nga OKB.

Ndërkaq skuadrat e shpëtimit nga e gjithë bota po u japin ndihmesën e tyre kolegëve turq në eleminimin e pasojave të tërmetit. Dje rreth orës 2 të mëngjesit një skuadër franceze, së bashku me një ushtar turk kanë gjetur një grua 57-vjeçare, e cila ndodhej posht gërmadhave për më shumë se 5 ditë. Ndërkohë që sot skuadrat e shpëtimit kanë njoftuar për nxjerrjen gjallë nga rrënojat edhe të një fëmije 6-vjeçar.

Por jo në të gjitha vendet e shkatërruara nga tërmeti punojnë skuadrat e shpëtimit. Në disa prej tyre për mungesë të njerëzve kërkimet kryhen vetëm me teknikë të rëndë. Kështu ekziston rreziku i mosgjetjes së shumë njerëzve të ndodhur nëpër shtëpitë e tyre gjatë tronditjeve që shkaktoi tërmeti. Specialistët deklarojnë se tërmeti i Izmitit është një nga më të fuqishmit e këtij shekulli./tvklan.al