Autoret dogjën makinën me armët brenda pas ngjarjes

Vritet me breshëri kallashnikovi në banesën e tij në fshatin Larushk të Fushë Krujës, Gentian Bejtja. Ngjarja u regjistrua rreth orës 16:25 minuta të kësaj të premte.

“Viktima Gentian Bejtja ndodhej në oborrin e banesës së tij kur persona ende të paidentifikuar lëshuan breshëri kallashnikovi në drejtim të 43-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend”, raporton gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Në momentin që u regjistrua ngjarja viktima ka qenë i vetëm në shtëpi, ndërsa autorët mësohet se kanë arritur të futen në brendësi të oborrit. 43-vjeçari ka tentuar të dalë nga një derë e pasme, por nuk ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave. Pasi u siguruan se Bejtja ndërroi jetë, autorët që dyshohet të kenë qenë të paktën 3 persona, u larguan në drejtim të fshatit Hasan. Në këtë zonë ata dogjën automjetin tip Range Rover brenda të cilit u gjetën 4 kallashnikovë.

43-vjeçari Gentian Bejtja ishte një emër i njohur për policinë, pasi në të shkuarën i ka shpëtuar 3 atentateve. Në 2016-ën makina e tij u shpërthye me eksploziv, por ai nuk u lëndua. Në 2022-in i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës kur u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës së tij. Rasti më i fundit ishte në korrik të vitit 2023 po në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk, ku Bejtja u shpëtoi breshërive të plumbave, por mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagos djali i tij 10 vjeç.  

Për këtë ngjarje 43-vjeçari ishte shpallur në kërkim policor për t’u marrë në pyetje, por pavarësisht kontrolleve policore në 8 muaj hetuesit nuk mundën të siguronin një dëshmi të tij. Bejtja është i dyshuar si i përfshirë për disa ngjarje të rënda kriminale, në zonën e Krujës por dhe me gjerë. Policia thotë se janë duke u verifikuar të gjitha pistat.

Nisur nga këto dyshime së të shkuarës, por dhe 3 atentateve ndaj tij, policia dhe prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se ngjarja ka si motiv hakmarrjen.

Tv Klan