Dy futbollistët e kampiones së re të Europës, Spanjës, Rodri dhe Alvaro Morata po hetohen nga UEFA për shkak të veprimeve të tyre gjatë festimeve për fitimin e titullit kampion në Madrid.

Yjet spanjollë, të cilët luajtën një rol me rëndësi në fitimin e trofeut në Gjermani 2024 u filmuan duke kënduar “Gjibraltari është Spanjë”.

Federata e Futbollit të Gjibraltarit ka bërë një ankesë në UEFA në lidhje me këtë çështje. Institucioni Europian i futbollit konfirmoi se Komisioni i Etikës ka nisur hetimin për dy lojtaret.

Rodri, i cili luan te skuadra e Mançester Sitit u përzgjodh si Futbollisti më i mire i turneut. Ndërsa Morata, i cili mbajti shiritin e kapitenit në shtatë takime të luajtura, realizoi edhe 1 gol.

Për Federatën e Futbollit të Gjibraltarit, ky veprim është mjaft provokues dhe ofendues. Gjibraltari që ndodhet në jug të Spanjës në 300 vitet e fundit  ka qenë pjesë e territorit të administruar nga Britania e Madhe.

Spanja gjithnjë ka kërkuar që ky territor t’i kthehet por ka hasur në kundërshtinë e Britanisë së Madhe.

Klan News