Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Është zgjeruar sot gjeografia e provokimeve serbe ndaj kufijve shqiptarë. Këtë e ka konfirmuar në konferenën për shtyp ministri i Informacionit Musa Ulqini. Një numër predhash të artilerisë kanë rënë në afërsi të postave kufitare të Tropojës dhe Hasit. Predha të cilat kanë rënë pranë fshatrave Padesh, Kamenicë, etj të Tropojës si dhe në Vlan të Hasit nuk kanë shkaktuar dëmtime në njerëz.

Ministri i Informacionit Musa Ulqini ka theksuar se trupat tona ushtarake në çdo rast janë të gatshme të mbrojnë sigurinë dhe sovranitetin e vendit. Ulqini ka paraqitur sot edhe situatën më të fundit të të ardhurve nga Kosova. Sipas tij deri sot pasditë kanë hyrë nga pika doganore e Morinës 912 vetë kryesisht nga komuna e Skënderaj. Një pjesë e të ardhurve të sotëm kanë qenë me plagë të shkaktuara nga dhuna serbe.

Numri i përgjithshëm i refugjatëve kosovarë në shqipëri ka arritur rreth 310 mijë vetë ku 120 mijë prej tyre gjnden në prefekturën e Kukësit. Të ardhurit nga Kosova ka theksuar Ulqini nuk duan të lëvizin në drejtim të qyteteve të tjera pasi shpresojnë në një kthim të shpejtë në vendlindjen e tyre./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego