Uragani Beryl goditi ditën e sotme juglindjen e Teksasit ku të paktën dy persona kanë humbur jetën. Stuhia ka sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike për më shumë se dy milionë njerëz, ndërsa solli shi të dendur dhe erëra të forta.

Sipas BBC në Teksas, një burrë 53-vjeçar vdiq pasi erërat rrëzuan linjat e energjisë elektrike dhe rrëzuan një pemë në shtëpinë e tij në qarkun Harris, duke shkaktuar shembjen e çatisë së tij. Po ashtu në të njëjtin qark, i cili përfshin pjesë të Hjustonit, një grua 74-vjeçare u raportua gjithashtu e vdekur pasi një pemë u përplas në çatinë e shtëpisë së saj. Policia është njoftuar nga mbesa e gruas.

Kur Beryl goditi për herë të parë Teksasin të hënën në mëngjes, ai u ul si uragan i Kategorisë një, por më pas është reduktuar në një stuhi tropikale. Ndërkohë zyrtarët kanë paralajmëruar për erëra shkatërruese, deri në 38 centimetra shi dhe stuhi “kërcënuese për jetën”.

Më shumë se 1000 fluturime në aeroportin më të madh të Hjustonit janë anuluar. Zyra e guvernatorit të shtetit u ka kërkuar vazhdimisht banorëve të mos e nënvlerësojnë stuhinë, e cila shkaktoi të paktën 10 vdekje në Karaibe ditë më parë.

Dëmet nga uragani Beryl në Karaibe

“Beryl” ka thyer rekorde të shumta dhe është një tregues shqetësues se ky sezon do të ketë një numër të lartë të stuhive të fuqishme edhe të kategorisë 5. Sipas ekspertëve temperaturat e ngrohta të oqeanit po nxisin forcimin e paprecedentë të urganeve.

/tvklan.al