Drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Tiranës Erion Veliaj ishte në zonën e Njësisë 14 dhe Kasharit ku nuk i kurseu shigjetimet për opozitën. Ai tha se ata që djegin sot goma para bashkisë dikur bllokonin punën për Unazën e Madhe.

“Janë të njëjtët njerëz që digjnin goma tek Astiri, ata djegin goma edhe në bashki. Ne nuk e kemi shkopin magjik të ndryshojmë mendjen e të gjithëve, por fakti që pas gjithë asaj beteje, me goma të djegura, me bllokim rrugësh, me zjarr, me konflikte, me rrahje me policinë, ne arritëm jo vetëm të bëjmë rrugën dhe Unazën, por të fitojmë mbi 60% tek Astiri, kjo është një meritë e jashtëzakonshme.”

Duke u ndalur tek projektet për zhvillimin e kësaj zonë, Veliaj deklaroi se nuk do të harrohet asnjë premtim për shkollat e reja.

“Sapo kam marrë një vendim që secila shkollë duhet të ketë korsinë e saj, nuk ka nevojë të bëhen të katërta apo të pesta bashkë. Nëse një nga shkollat ka një problem në gjykatë, ne do ta ndjekim atë problem. Që kur të shkojmë vitin tjetër në zgjedhje t’i shohim njerëzit në sy dhe t’u themi, nuk kemi bërë betejë për parti, por kemi bërë betejë atdhe, për qytet, për lagje, për komunitet, për familjet, dhe ia ka vlejtur çdo minutë dhe çdo mund i asaj beteje”.

Krahas premtimeve, në takimin e zhvilluar këtë të martë në zonën e Kasharit, kryebashkiaku Veliaj nderoi me certifikatën e mirënjohjes disa prej anëtarëve socialistë.

Tv Klan