I vënë në shënjestër të akuzave të opozitës, e cila në tubimin e të enjtes nuk ia kurseu molotovin nën dritaren e zyrës së tij, Erjon Veliaj paralajmëroi përfaqësuesit e opozitës për fundin që i pret në betejën elektorale të radhës.

“As kryeministria e as bashkia nuk janë godina personale, janë monumente kulture, që do i shërbejnë çdo qeverie dhe çdo bashkie që do të shërbejë aty. Kur shkon dhe djeg bashkinë, kryeministrinë, flamurin, tregon se je komplet jo dinjitoz për t’u konsideruar si një ofertë serioze. Jam i bindur se forca e madhe qytetare, djegësve të gomave, të ndërtesave dhe të flamujve, do t’u japë një përgjigje spektakolare”, tha Veliaj.

Pa ironizuar nuk la edhe protestat e opozitës, duke i kujtuar kësaj të fundit se bashkia që ai drejton është në punë, pavarësisht nga stina apo ditët e javës.

“Ta kalojmë verën në punë, që të bëjmë diferencën mes atyre që djegin, se duan të kapin shtëpitë e tyre në Lalëz dhe atyre që punojnë përditë, përditë, përditë. Se është verë, se është dimër, se është e shtunë, se është diel, duhet t’i çojmë gjërat përpara”, tha Veliaj.

Deklaratat Kryebashkiaku i Tiranës i bëri gjatë inspektimit të punimeve në bllokun e banimit që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligori”.

Tv Klan