Vora ishte ndalesa e radhës e turit të falenderimeve që Erion Veliaj ka ndërmarrë në cilësinë e kreut të Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast ai bëri thirrje për të vijuar me hapjen e partisë dhe për të mësuar nga gabimet e opozitës.

“Ne kemi pasur disa fitore të jashtëzakonshme në Vorë, të cilat nuk i kishim menduar kurrë gjatë viteve të gjata në opozitë. Por, është shumë e rëndësishme të mos i trajtojmë këto fitore si një instrument për të qenë arrogant dhe për të mos i dëgjuar njerëzit. Një nga arsyet pse fituam, përveç organizimit dhe hapjes me elementë të rinj në parti, është se pala tjetër ishte e papërgjegjshme, nuk i dëgjonte njerëzit, sillej në mënyrë arrogante, duke thënë ‘në Vorë kemi varur xhaketën’. Fitorja nuk është vetëm merita jonë, është edhe fakti se si pala tjetër u soll në një mënyrë jo dinjitoze me njerëzit. Që të na bëhet mësim jo vetëm fitorja, por edhe humbja e dikujt tjetër”.

Veliaj nënvizoi se vetëm gjatë fushatës së fundit në qark, PS u rrit me 6 mijë anëtarë të rinj.  

“PS ka kaluar 33 vite plot sakrifica, me vështirësi të jashtëzakonshme. Sot është shumë kollaj me qenë socialist në Vorë. Në fushatën e fundit të anëtarësimeve ne shkuam nga 20 në 26 mijë anëtarë. Kështu që, për 6 mijë anëtarë të rinj, ky rekrutim kaq i shpejtë e kaq i beftë, ishte i jashtëzakonshëm, por edhe i thjeshtë. Përulje dhe respekt për ata që, në ditët më të vështira, e mbajtën të bashkuar familjen tonë”, tha ai.

Teksa shpërndau disa certifikata mirënjohje për socialistët me më shumë vite kontribut, Veliaj deklaroi se falë punës së tyre, PS është sot një histori suksesi.

Tv Klan