Tirana, përmes Piramidës, pritet të kthehet në kryeqytetin dixhital për Europën Juglindore. Deklarata u bë nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, gjatë takimit me kreun e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff.

“Rreth 1600 fëmijë çdo muaj ndjekim kurse te Piramida. Kjo nënkupton se brenda një viti do kemi rreth 20 mijë fëmijë nga Tirana, që do të marrin aftësi digjitale. Pyetja është: Çfarë do të bëjnë pas moshës 18 vjeç? Me kolegët francezë po diskutojmë për një bashkëpunim me “Ecole-42”. Kryeministri e ka ngritur si çështje, jemi shumë afër një marrëveshje, ku të kemi mundësi që, për studime të avancuara, pas moshës 18 vjeç, të prodhojmë vërtet një ekosistem. Ambicia ime është që Tirana të jetë kryeqyteti digjital i Europës Juglindore”, tha Veliaj.

“Tani që e kemi çuar në nivelin ku duhet Piramidën, jemi duke u përpjekur të shtojmë edhe copëza të tjera, për ta kthyer në një qendër gjithëpërfshirëse të edukimit digjital, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin”, u shpreh Granoff.

Veliaj tha se një tjetër projekt që pritet të zbatohet në Tiranë, ka të bëjë me lidhjen e Liqenit të Farkës me Liqenin Artificial të Tiranës, përmes një parku linear që mund të përdoret nga të gjithë.

“Na mundëson që qyteti të shijohet nga të gjithë, ofron një demokraci në përdorimin e parqeve tona. Besoj se, ashtu si te Piramida dhe Pazari i Ri, ku kemi prodhuar një histori suksesi, qepja e këtyre tre parqeve si një çentro e gjelbër e Tiranës, për t’u aksesuar nga të gjithë, do të jetë gjithashtu një histori suksesi”, tha kryebashkiaku.

Sipas Veliajt, fluksi vizitorëve në Tiranë ka bërë që Piramida të jetë një nga objektet më të vizituara nga të huajt.

Tv Klan