Vendimi i udhëheqësve të Eurozonës ka shërbyer si një rilindje për bursat pas një jave të zezë që u mbyll me rezultatet negative që prej krijimit të tyre. Marrëveshje e konkretizuar në një dokument prej 6 pikash që parashikon likuidim për institucionet financiare si dhe garantimin e kredive ndërmjet bankave deri në 31 dhjetor të 2009. Ka injektuar një frymë optimiste në tregjet ndërkombëtare.

Dita e djeshme por dhe mëngjesi i sotëm, ka qenë një festë financiare për indexin japonez Nikej i cili mund të thuhet se ka rimarrë totalisht veten duke ringritur pozicionin me 9%. Bursat në Europë nuk kanë mbetur më pas, vlera e aksioneve në indexin britanik, atë gjerman dhe francez janë rritur me 5.36 deri në 6.43% duke reflektuar shenjë besimi ndaj përpjekjeve të liderëve të kontinentit të vjetër kundër krizës e cila mbërtheu fillimisht SHBA duke i dhënë një goditje të fortë tregut financiar në botë.

Plani i ri i vendosur nga liderët e 15 vendeve të Eurozonës parashikon ndihmë për të gjithë institucionet financiare e sigurisht duke i dhënë mundësinë çdo shteti të marrë masa individuale duke caktuar një fond emergjent apo duke injektuar para në treg. Megjithatë vetë presidenti francez Nikolas Sarkozy, bëri të ditur se të gjithë shtetet do të paguajnë ndërhyrjet me çmimin e duhur duke lënë të kuptohet se institucionet që falimentojnë nuk duhet të marrin shumë krahë nga ky plan, pasi do të veçohen. Propozimi pritet të marrë miratimin e BE gjatë samitit të planifikuar për këtë javë./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj

Montazh: Vilma Halilaj