Vihen në kontroll vatrat e zjarrit në bashkitë Finiq dhe Dropull, ku prej së hënës forcat zjarrëfikëse, mbrojtjes civile dhe ministrisë së mbrojtjes po punojnë për shuarjen totale të flakëve.

Për të neutralizuar vatrat e zjarrit në dy bashkitë ku situata ka qenë tejet problematike, forcave shqiptare u kanë ardhur në ndihmë dy avionë të tipit Canadair nga Greqia.

Pavarësisht kësaj, forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri në rast se vatrat riaktiviziohen në sipërfaqet me pemëtari e shkurre, ku dëmi i shkaktuar është shumë i madh.

Aktualisht ka vetëm një vatër zjarri mbi fshatin Sofratikë, të Dropullit, që herë pas here ka tendencë riaktivizmi. Megjithatë nuk ka rrezik për banesat pranë saj.

Zjarri që nisi të hënën pasdite në fshatin Frashtan të Dropullit u përhap fillimisht në një pjesë të madhe të Malit të Gjerë për të vijuar më pas dhe në Bashkitë Finiq dhe Delvinë.

Tv Klan