Luftimet e ashpra kanë vazhduar për të dytën ditë në skajet e rajonit Kharkiv në veri-lindje të Ukrainës. Moska pretendon se ka marrë pesë fshatra, ku gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse ka sulmuar Ukrainën përgjatë gjithë vijës së frontit.

Shtabi i përgjithshëm në Kiev tha se forcat e Kremlinit janë duke zhvilluar një ofensivë të ashpër duke regjistruar 155 beteja në terren, 13 sulme me raketa dhe118 sulme ajrore, në pozicionet e trupave ukrainase dhe zonat e populluara. Më shumë se 4 mijë njerëz janë evakuuar nga këto zona pasi rusët vunë nën kontroll pesë fshatra të rajonit.

Ndërkaq të paktën shtatë persona u vranë dhe 29 u plagosën kur një pjesë e tërë e një blloku apartamentesh shumëkatëshe u shemb pas një sulmi me raketa ukrainase në qytetin rus të Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se fragmentet e një rakete Tochka-U të lëshuar nga Ukraina dhe të rrëzuara nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore dëmtuan një bllok apartamentesh. Ukraina kreu sulmin duke përdorur raketa Tochka-U, Vampire dhe Olkha. Zyrtarët e Kievit thonë se sulmet janë një kundërpërgjigje ndaj sulmeve në infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë ditëve të fundit.

Të premten SHBA njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 400 milionë Dollarësh, duke përfshirë raketa dhe automjete të blinduara. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ndihma kishte për qëllim, pjesërisht, të ndihmonte Ukrainën të shmangte sulmin rus në kapjen e Kharkivit.

Klan News