Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Genc Pollo mund të jetë kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës ndaj kryebashkiakut në fuqi Edi Rama. Burime brenda Partisë Demokratike pohuan për TV Klan, se ky është një kusht i reformatorëve, përveç tjetrit të njohur të Ferdinand Xhaferrit në Durrës kundër kryetarit të sotëm të bashkisë Miri Hoti.

Kryetari demokrat i degës së Tiranës Vili Minarolli thotë, se do të përkrahet çdo vendim politik i strukturave të partisë.

Gazetari:- Zoti Minarolli, do ta mbështesni kandidaturën e zotit Pollo kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe të zotit Xhaferri në Durrës kundër kryetarit të bashkisë së Durrësit sot Miri Hoti?

Vili Minarolli:- “Unë nuk i di këto kandidatura që përmendët ju, kjo ka të bëjë me emra jashtë PD, ky është problemi i grupit negociator në PD, që ka qëllimin e bashkimit të opozitës dhe paraqitjes së opozitës si një e tërë në zgjedhjet e Tetorit. Unë do mbështesë çdo vendim të PD”.

Emri i Genc Pollos qarkullon në korridoret e selisë së Partisë Demokratike dhe është hedhur nga negociatorët e demokratëve të reformuar. Kandidatura nuk shihet me sy të keq nga kryetari demokrat Sali Berisha dhe vlerësohet si konkurruese në garën e Tiranës. Minarolli shton, se kandidatët janë të njohur prej tij, si bashkëpunëtorë të ngushtë deri pak kohë më parë.

Vili Minarolli:- “Janë drejtues të Partisë Demokrate të Re, di që janë në procesin e negocimit me drejtuesit tanë është një hap shumë pozitiv, e përshëndes personalisht i njoh dhe kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me njëri-tjetrin”.

Minarolli thotë, se përzgjedhja e kandidatëve për vendoret e tetorit është pranë fundit./tvklan.al